Kurti në Lezhë: Na ndalon Kushtetuta për bashkim kombëtar

Kurti në Lezhë: Na ndalon Kushtetuta për bashkim kombëtar

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh edhe kandidat për kryeministër, Albin Kurti, vizitoi të martën Lezhën me rastin e 577 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, nga ku deklaroi se ka bërë thirrje që Kosova dhe Shqipëria të bashkërendohen drejt afrimit, por Kushtetuta e Kosovës ka kundërthënie dhe nuk e lejon bashkimin, njofton Insajderi.

“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie, neni 1.1 thotë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime siç është ai evropian”. tha Kurti.

I pari i VV-së deklaroi se liderët politikë se duhet të mendojnë dhe të veprojnë ashtu siç do të bënte heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu dhe dëshmorët e luftës së fundit të Kosovës.

“Sot më 2 mars teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës i cili është akt politik, publik i besatimit, i lidhjes së dëshirës së përbashkët, ne duhet të mendojmë e të veprojmë, duke ashtu si do bënte Skënderbeu e Rilindasit tanë, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se tani vendi duhet të përfaqësohet nga njerëzit me qëllime të drejta në mënyrë të përparimit të gjithanshëm.

“Duhet të ndjekim pishtarin që është bartur gjatë historisë nga brezi në brez në mënyrë që populli shqiptar të faktorizohet, të zjerr në pahë përfaqësuesit e tij më të mirë e më të devotshëm, dhe në këtë mënyrë krizën e shumëfishtë që e ka pllakosur ta zëvendësojmë me çlirim, me bashkim dhe përparim të gjithanshëm”.

“Sot këtu te flamuri kombëtar te Besëlidhja e Lezhës ulemi dhe zotohemi përpara heroi tonë të përjetshëm, Skënderbeut, për angazhimin e tij të përjetshëm”, përfundoi  Kurti. /Insajderi.com