Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në mbledhjen e 78-të të Qeverisë së Kosovës, kanë vendosur sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se kanë vendosur masa kufizuese edhe ndaj Grupit Ëagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi.
“Me qëllim të mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vendosëm masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL (Da’esh), Al-Qaeda dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me to”, ka shkruar ai.
Kryeministri Kurti ka thënë se duke marrë parasysh nevojën për krijimin e mekanizmave sa me efikas, miratuam Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.
Ai gjithashtu ka theksuar se kanë plotësuar Programin Legjislativ për vitin 2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Miratuam nismën për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Arkivave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se i është hapur udhë bashkëfinancimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master me miratimin e nismës për marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës./Insajderi.com