Kurti: Në takim me Merkelin, nuk na është kërkuar të përfshihemi në “Ballkanin e Hapur”

Kurti: Në takim me Merkelin, nuk na është kërkuar të përfshihemi në “Ballkanin e Hapur”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, tha se nuk i është kërkuar Kosovës që të përfshihet në projektin “Open Balkan”, njofton Insajderi.com.

Pas takimit, në një konferencë për media, Kurti tha se nuk është në interes që të bëhen bashkë me një Serbi që nuk e njeh Kosovën.

“Gjatë takimit që patëm unë e falënderova kancelaren gjermane Merkel për rolin e saj të jashtëzakonshëm. Ne kemi nevojë edhe për bashkëpunim sa më të madh mes Kosovës e Gjermanisë. Nuk është kërkuar që të përfshihemi në Ballkanin e Hapur. Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne nuk e konsiderojmë në interes që me një Serbi që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të bëhemi bashkë. Nuk bënë që trysnia të jetë mbi Kosovën, por mbi Serbinë. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë e cila mohon krimet dhe e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri Kosovar tha se është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë kushtetutën për njohje të Kosovës dhe se presioni duhet të bëhet mbi ta e jo mbi Kosovën.

“Nuk bënë trysnia të jetë mbi Kosovën dhe mbi Serbinë dhe bëjnë gabim ata që mundohen ta ndërtojnë një trysni mbi Kosovën, ajo duhet të jetë mbi Serbinë që i mohojnë krimet. Gjeneralët serbë të luftës pasi janë dënuar nga Haga bëhen ligjërues në akademi ushtarake. Presioni duhet të jetë mbi Serbinë”, tha Kurti.

Po ashtu, teksa foli për Serbinë, ai tha se janë duke bërë përgatitje për të paditur Serbinë për krimet e kryera në Kosovë, por që sipas tij, për këtë, duhet kohë.

“Jemi duke bërë përgatitjet për këtë, përgatitje të cilat janë të mëdha sa i përket mbledhjes së dokumentacionit, andaj nuk mund ta bëjmë shpejt e shpejt”, tha ai.

Gjithashtu, Kurti ka bërë të ditur se i ka shkruar letër të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian ku i ka renditur 11 shkeljet që po i bën Serbia dhe se është në përgatitje të vendosjes së reciprocitetit./Insajderi.com