Kurti në takim virtual me BERZH-in: Partner i pazëvendësueshëm për Kosovën

Kurti në takim virtual me BERZH-in: Partner i pazëvendësueshëm për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim virtual me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Odile Renaud-Basso, ku temë kryesore ishte rëndësia e mbështetjes së mëtejme të projekteve zhvillimore, përcjell Insajderi.

Sipas njoftimit, Kurti, bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, biseduan me Renaud-Basso, si dhe Drejtoreshën Menaxhuese të BERZh-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, dhe ekipin e BERZh, për vazhdimin e bashkëpunimit, me theks te rritja e dinamikës në zbatimin e projekteve.

“Duke uruar për tridhjetë vjetorin e BERZh-it, kryeministri Kurti theksoi se gjatë tri dekadave, BERZh-i ka qenë një partner i çmuar për shumë vende në udhëtimin e vështirë të tranzicionit. Po ashtu, gjatë viteve të kaluara, BERZh ka qenë partner i pazëvendësueshëm për Kosovën, si për sektorin publik ashtu edhe atë privat, për çfarë kryeministri Kurti falënderoi menaxhmentin e BERZh-it, veçanërisht zyrën rajonale në Kosovë”.

Tutje, në kumtesë thuhet se në përgjigje të situatës me pandeminë COVID-19, përveç mbështetjes afatshkurtër emergjente, Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh BERZh-in si një partner të rëndësishëm edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Përfaqësuesit e BERZh-it, u shprehen të hapur për vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e mëtutjeshme për sektorin privat, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, sektorin e energjisë dhe integrimin rajonal”./Insajderi.com