Kurti në takimin e parë të Komitetit për Vlerësim të Situatës me COVID-19 kërkon dënim të rreptë për shkelësit e masave

Kurti në takimin e parë të Komitetit për Vlerësim të Situatës me COVID-19 kërkon dënim të rreptë për shkelësit e masave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar ndëshkimin e shkelësve të masave anti-COVID, njofton Insajderi.com.

Në mbledhjen e parë të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19 që është mbajtur të martën, Kurti udhëzoi anëtarët e Komitetit që në zbatimin e masave të përqendrohen kryesisht në vendet ku mund të përhapet më shpejt virusi si: restorantet, baret, lokalet.

“Në mënyrë që zbatimi i masave të jetë sa më i përpiktë, kërkoj nga ju të shfrytëzoni të gjitha resurset të inspektimit që keni në dispozicion, duke përfshirë inspektorët e AUV-it, inspektorët e MINT-it (sidomos inspektorët e tregut), inspektorët komunalë dhe Policinë e Kosovës”, u tha kryeministri anëtarëve të Komitetit.

Kurse, kryesuesi i Komitetit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se rezultati i analizave të datës 16 gusht nga Instituti “Robert Coch” në Gjermani, të dërguar Institutit të Shëndetësisë Publike për mostrat e marra tregoi që në Kosovë dominon varianti Delta.

“Ne jemi koshient se vetëm vaksina e ndalë përsëritjen e një vale të re, edhe pas kësaj vale. Por deri në vaksinimin e qytetarëve në masën e formimit të një imuniteti kolektiv, ne përkundër sfidave ekonomike që mund ti kemi, shëndeti publik i qytetarëve duhet dhe do të jetë prioriteti kryesor”, tha ndër të tjera ministri Vitia.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Policia e Kosovës është mobilizuar në mbikëqyrjen e zbatimit të masave dhe nga sot edhe Inspektorati Policor i Kosovës, do të monitorojë përmbushjen e detyrimeve të Policisë.

“Tashmë çdo zyrtari policor ka filluar t’i shpërndahet kopja e ligjit për covid dhe vendimi i fundit i Qeverisë në mënyrë që secili prej tyre të jenë të informuar mbi këtë ligj dhe këtë vendim. Po ashtu ka nisur zbatimi i vendimit për zgjatjen e orarit të punës për zyrtarë policorë nga 8 në 12 orë”, tha ministri Sveçla.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kërkoi bashkëpunim më të mirë ndërmjet inspektorëve të AUV, tregut dhe inspektorateve komunale.

Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 është themeluar të hënën, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Komiteti përbëhet nga 27 anëtarë që janë përfaqësues të institucioneve dhe organeve të ndryshme shtetërore e qeveritare dhe kryesohet nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia./Insajderi.com