Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë akuzat se “po dëmtohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, sa i përket anulimit të projektit për gazsjellësin, transmeton Insajderi.com.
Kurti sqaroi se informacionet dhe aludimet e shumta, nuk kanë të bëjnë me refuzim, derisa pohoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me MCC.
“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike”, ka thënë kryeministri për EO.
“Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara, por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, tha më tej ai.
Të enjten e 30 shtatorit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se kanë nevojë për më shumë informata “për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”.
Në një konferencë për media, ajo u shpreh se MCC-ja amerikane ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit.
“Në këtë situatë, përballë afateve kohore që ka MCC ne kemi vendosur që të vendosim tutje që të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alukuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën në cakun drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, tha ajo.
Tutje, Rizvanolli shtoi se gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë punën e përbashkët me ekipin e MCC-së në këtë drejtim.
“Gjatë muajve në vijim do të vazhdojmë pounën e përbashkët intensive me ekipin e MMCC në këtë drejtim dhe jemi mirënnjohës MCCsë, qeverisë amerikane dhe agjencive amerikane për ndihmën teknike dhe financiare i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin sektorit të energjisë së Kosovës”, përfundoi ajo. /Insajderi.com