Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë tonë, shkruan Insajderi.
Kurti me anë të një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se nga sot në oborrin e burgut të Dubravës, te vendi i pushkatimit, do të jetë një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre që shënon një tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar në pranverën e vitit 1999.
Ai ka shkruar se Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili ka mbetur i papërfunduar.
“Sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër, meqë pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive”, ka shkruar Kurti./Insajderi.com