Kurti njofton udhëheqësit e misioneve diplomatike të BE-së me prioritetet e Qeverisë

Kurti njofton udhëheqësit e misioneve diplomatike të BE-së me prioritetet e Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla patën sot një takim virtual me udhëheqësit e misioneve diplomatike të Bashkimit Evropian në Kosovë, njofton Insajderi.

Njoftohet se temë e takimit ishin programi dhe prioritetet e Qeverisë, me theks në agjendën e integrimeve evropiane.

“Kurti theksoi se prioritetet e Qeverisë janë drejtësia dhe punësimi, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe promovimi i investimeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

“Hapin e parë të reformës në drejtësi e kemi nisur me aprovimin e koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme që i paraprinë procesit të Vettingut në drejtësi”, tha Kurti.

Njoftohet se në takim Kurti foli edhe për planet e Qeverisë për reformimin e prokurimit publik me qëllim të rritjes së transparencës për përfituesit përfundimtarë.

Ministrja Gërvalla nga ana e saj tha se mirëpret interesimin e BE-së për dialogun por theksoi se është me rëndësi që të fokusohemi në luftimin e pandemisë, zhvillimin ekonomik dhe reformën në drejtësi.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, udhëheqësit e misioneve diplomatike njoftuan Kurtin e Gërvallen se janë duke u angazhuar për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 për Kosovën./Insajderi.com