Kurti: Nuk duhet të lejojmë të përsëritet 25 marsi i vitit të kaluar

Kurti: Nuk duhet të lejojmë të përsëritet 25 marsi i vitit të kaluar

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka kërkuar qytetarëve që të votojnë masivisht në zgjedhjet e 14 shkurtit “në mënyrë që të mos përsëritet 25 marsi i vitit të kaluar, kur u rrëzua Qeveria në mes të pandemisë”, njofton Insajderi.

Ai tha se për ta bërë ndryshimin duhet të sigurohet shumica parlamentare e nevojshme.

Këto deklarata Kurti i ka bërë të premten gjatë një tubimi me qytetarë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku tha se partia e tij dhe Lista Vjosa janë bashkuar kundër korrupsionit, prapambetjes dhe kapjes së shtetit.

Ai ka shtuar se qytetarët e dinë se VV-ja ka lëvizur drejt në këto 15 vjet të funksionimit të saj dhe se gjithçka që ka bërë, e ka bërë të mbrojtje të qytetarëve dhe Republikës.

Në këtë tubim Kurti ka falënderuar dhe lavdëruar mërgatën, duke thënë se ajo është burim i energjisë dhe dashurisë për vendin.

“Mërgata jonë është nisur me shpejtësi 127 km/orë për të votuar. Mërgatën e kemi në mendje dhe zemër, në krejt Kosovën drejt shkurtit”, ka thënë ai./Insajderi.com