Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se ende nuk ka ndonjë datë të caktuar për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij, kjo gjë varet nga lehtësuesi i dialogut – Bashkimi Evropian.
Tutje, tha se sa i përket takimeve të përfaqësuesve të delegacioneve ndërmjet dy shteteve në Bruksel, do të mund të ndodh dikur në gjysmën e dytë të nëntorit, ndërsa sa i përket udhëheqësve të dy shteteve nuk ka ndonjë datë.
Shefi i qeverisë ka komentuar edhe ndalimin e boksierëve nga Kosova për të hyrë në Serbi, duke thënë se me këtë bllokim kjo e fundit “shpërfaqi fytyrën e thelbin e saj si shtet për ata që kanë pasur dilema”.
“Së pari me bllokimin që ua bëri boksierëve tanë Serbia në kufi e shpërfaqi fytyrën e saj si shtet për ata që kanë pasur dilema. Të gjitha këto çështje do të adresohen në Bruksel sepse ne jemi vazhdimisht në komunikim me ta përmes letrave që ua dërgojmë”, u shpreh Kurti./Insajderi.com