Kurti nuk komenton deklaratat e Mustafës për Republikën e Tretë

Kurti nuk komenton deklaratat e Mustafës për Republikën e Tretë

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk është përgjigjur lidhur me atë se kush janë aleatët e tij për Republikën e Tretë, për të cilën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook i ka kërkuar sqarime.

Kurti i pyetur për këtë deklaratë tha se nuk ka kohë të merret me deklaratat e të tjerëve, por që sipas tij ata duhet t’i sqarojnë vet deklaratat e tyre.

“Republika e Kosovës është para një referendumi gjithëpopullor ku numri 127 është dalje nga kriza e shumëfishtë. Nuk mund të jap shpjegime për deklaratat e të tjerëve, ata duhet t’i japin vet”, tha Kurti, pas homazheve tek vendi ku janë vrarë aktivistët e VV-së, Mon Balaj e Arben Xheladini 14 vjet më parë në një protestë të organizuar kundër Pakos së Ahtisarit, raporton EO.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova ka shpallur pavarësinë së bashku me ShBA-në dhe partnerët evropian, ndërsa ka kërkuar nga Kurti të sqarojë se kush janë parterët e tij për Republikën e Tretë.

“Një shtet e bëmë me SHBA-të dhe me partnerët tanë evropian, të zotuar për demokracinë perëndimore. Ndërkaq, VV duhet ta qartësojë se kush janë partnerët e saj për Republikën e Tretë. Ndryshe, në qoftë se votohet vetëm me emocione, rrezikojmë të vejmë shallat e kuqe rreth qafe, të marshojmë si në Revolucionin Kulturor Kinez e të mbesim pa asnjë republikë”, ka shkruar Mustafa. /Insajderi.com