“Do të fitojmë gjithçka”

Kurti nuk kursen fjalët: Presidenti është hajn – Qeveria është e turpit

Albin Kurti: Sfida jonë 21 vjet pas çlirimit nga Serbia, mbetet çlirimi nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit. Në këtë sfidë nuk na ndihmon dot askush, kjo sfidë na takon neve qytetarëve të bashkuar.

Kurti nuk kursen fjalët: Presidenti është hajn – Qeveria është e turpit

Albin Kurti nuk ka kursyer fjalët kur ka folur për presidentin e Kosovës dhe Qeverinë.

Ish-kryeministri tha se Presidenti Hashim Thaçi “është hajn”, ndërsa “qeveria e Avdullah Hotit është qeveri e turpit”, njofton Insajderi.

Kurti është shprehur kështu para simpatizantëve të mbledhur në tubimin e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje në sheshin “Skënderbeu”, në 15 vjetorin e Vetëvendosjes dhe në 21 vjetorin e ditës së çlirimit të Kosovës.

“Presidenti është hajn, por jo edhe shumë gjatë. Edhe ndonjë muaj, ai do të shkojë dhe nuk do të mund të vjedhë më. Presidenti është hajn, qeveria është e turpit. Në ditën e dytë të saj e hoqën reciprocitetin me Serbinë. Ky është nënshtrim dhe ne e dimë pse është kështu. Këta janë të kapur nga krimi e korrupsioni, andaj janë të shantazhuar përveç se të nënshtruar”, ka deklaruar Kurti, për të vazhduar me cilësime të tjera.

“Maskat i kemi kundër maskarenjve, maskat e shëndetit kundër maskarenjëve të politikës. Në këto 15-të vjet jemi përforcuar, po shtohemi po rritemi e po zgjerohemi, do të fitojmë sërish edhe më shumë, sepse duhet”.

Kurti ka komentuar edhe qeverisjen e tij. Tha se me Vetëvendosjen në udhëheqje u pa se është i mundur ndryshimi.

“Kemi parë se ndryshimi është i mundur. Ecim shumë si shumica e shpejtë si Lëvizja. Por, qeverisja e mirë u ndërpre sepse ata që e kanë kapur pushtetin në të gjitha anët, u kapën bashkë kundër qeverisjes së mirë. Shteti i kapur nuk e duron drejtësinë. Beteja kundër shtetit të kapur duhet të luftohet në çdo dimension. Ju e patë si reaguan regjimi i vjetër dhe kapësit e shtetit, ju ishit dëshmitarë”.

“Ju ishit dëshmitarë se si presidenti i zgjedhur me vota të kontrabanduara në parlament, u vërsul me Gjykata e gjithë çfarë kishte kundër qeverisjes së mirë. Ai ‘shokët’ i gjeti te LDK-ja, e tani janë të gjithë së bashku në një qeveri Koti, që për kumbarë e ka Presidentin. Mirë që janë bashkë, se që 20 vjet kanë qenë bashkë në vjedhje e korrupsion”.

“Në mes të kësaj pandemie ku të gjithë vendosëm maska për ta mbrojtur shëndetin, u hoqën maskat e tyre. Kapësit e shtetit në njërën anë, dhe populli në anën tjetër. Por jo çfarëdo populli, ne jemi popull ilir dhe gjithmonë kemi luftuar për liri”.

“Atdhe tjetër nuk kemi, prandaj edhe duhet ta bëjmë shtetin që e meritojmë. Ne mund të jemi popullsi e varfër, por jemi të drejtë e krenarë. Jetojmë thjeshtë, por jetojmë me nder. Ne falim, por nuk e durojmë padrejtësinë. Padrejtësia që u bë në mars të këtij viti, që u bë ndaj qytetarëve që votuan për ndryshim, është vetëm një episod i trishtë, që qytetarët do ta kujtojnë në zgjedhjet e reja”.

Kurti tha se si asnjëherë më parë është “ i mbushur me shpresë, që koha për ndryshim ka ardhur”.

“Tashmë e kemi kuptuar të gjithë, se asgjë nuk e ndalë një popull të bashkuar që kërkon ndryshim. Qytetari i panjohur, është heroi i ditëve të sotme”.