“Pushtetet janë të ndara dhe në punën e gjyqësorit nuk ndërhyn Qeveria”.
Kështu deklaroi të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para mediave kur u pyet nga gazetarët lidhur me konkursin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kurti tha se nuk do të flasë me asnjë nga kandidatët për këtë post.
“Ne jemi shtet demokratik ku janë të ndara pushtetet, dhe rrjedhimisht në shkeljet eventuale të ligjit e të Kushtetutës në Kosovë nuk ndërhyn Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo është një detyrë që e zbaton prokuroria, gjyqësori dhe mekanizmat e tjerë zbatues”.
Kurti foli edhe për propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike. Ai tha se ZRRE-ja është institucion i pavarur dhe se ai personalisht nuk e ka as numrin e telefonit të kryesuesit të Bordit.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë është institucion i pavarur shtetëror. Unë nuk e kam numrin e telefonit te kryesuesit të bordit, mirëpo ministrat e linjës shpresoj edhe nga Kuvendi do t’i dërgojnë sa më pare komentet në mënyrë që bordi i ZRRE-së bazuar në raportin e vet t’i trajtoj edhe sugjerimet”, u shpreh Kurti./SHQIP.com