Kurti nuk përjashton koalicionin me LDK-në

Kurti nuk përjashton koalicionin me LDK-në

I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës t’i bashkohet në listën zgjedhore për Kuvendin e Kosovës. Por, sipas Kurtit, ata nuk kanë pasur “përnjëmend ndryshimin”.

“Ne ishim të hapur që të krijomë mundësinë për shumicën e vendeve të jenë nga ky koalicion nëse e kanë me gjithë mend një lloj kundërvënie kundër partnerit të deridjeshëm qeverisës”, ka thënë ai.

Por, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni pas zgjedhjeve duke thënë se LVV si fituese e zgjedhjeve do të mandatohet për të krijuar qeverinë dhe pastaj do të fillojnë bisedimet

Kurti ka thënë se VV ka pasur rritje të jashtëzakonshme dhe se kjo parti është e gatshme të bëjë ndryshimin.

“Ka disponim për të bërë ndryshimin e dëshirueshëm prej të gjithë neve,” ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

“Thjeshtë në Kosovë ka shumë frikë, njerëzit frikësohen se s’do të gjejnë punë apo ta humbasin atë, njerëzit frikësohen se nuk mund të regjistrohen në fakultetin e dëshiruar, njerëzit frikësohet së fëmijët nuk po marrin edukimin adekuat dhe njerëzit frikësohen e shumë shpejt do të bëhen të varfër”, ka thënë ai./Insajderi.com