Kurti numëron “katër sukseset” e bordit të ri të AKP-së

Kurti numëron “katër sukseset” e bordit të ri të AKP-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka numëruar katër pika të cilat sipas tij, janë suksese të bordit të ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Pas takimit me bordin e AKP-së të mërkurën, në konferencë për media, Kurti tha se suksesi i parë është përgatitja e një strategjie përmbyllëse të AKP-së.

Ndërsa, pikë të dytë ka përmendur identifikimin e aseteve që mund të transferohen në Fondin Sovran.

“Tash së fundmi Qeveria ka pranuar koncept-dokumentin për Fondin Sovran. Paralelisht bordi i AKP-së ka arritur t’i evidentojë 2 mijë e 364 asete të AKP-së që pas një analize është vlerësuar se 1 mijë e 653 prej tyre do t’i barten Fondit Sovran. 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci.

Suksesi i tretë i bordit të ri të AKP-së, sipas Kurtit, është shkurtimi i shpenzimeve, në vlerë prej mbi 2.6 milionë eurosh.

Ndërsa, i katërti, sipas shefit të qeverisë është aktivizimi i ndërmarrjes shoqërore “Brezovica” për të cilën tha se kanë filluar edhe lëshimi i kuponëve.

Të pranishëm në takimin e kryeministrit Kurti me udhëheqjen e AKP-së ishin edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati./Insajderi.com