Kurti optimist për një marrëveshje me LDK-në

Kurti optimist për një marrëveshje me LDK-në

I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka njoftuar se do të intensifikohen bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të formuar Qeverinë, në rast se koalicioni PAN dështon të sigurojë numrat e mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës.

Pasi u regjistrua si deputet në administratën e Kuvendit, Kurti tha për gazetarët se takimet e deritashme me LDK-në nuk janë të mjaftueshme.

“Ne kemi pasur disa takime, por jo mjaftueshëm, dhe besoj se ato do të intensifikohen në ditët në vijim e posaçërisht pas 3 gushtit. Por ajo që mund të them tani është se unë besoj se është i mundshëm një dakordim programor, një platformë e përbashkët qeverisëse, në mënyrë që Kosovën ta vendosim në shtegun e progresit politik e kombëtar, shtetëror e institucional dhe socio-ekonomik”, ka thënë Kurti.

“Në javët në vijim, pavarësisht zhvillimeve politike apo ngecjeve institucionale Lëvizja VETËVENDOSJE! do të rritet, ndërkaq edhe Kosova do të ngritet, qoftë kur ne ta formojmë qeverinë e re tash, apo edhe nëse e krijojmë pas zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se grupi parlamentar i VV-së, i përbërë nga 32 deputetë, do të jetë më 3 gusht në seancën konstituive, por nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit./Insajderi.com