Kurti: Parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave e kemi prioritet qeveritar

Kurti: Parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave e kemi prioritet qeveritar

Parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore e kemi përcaktuar si prioritet qeveritar, ka thënë të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai është shprehur se Qeveria do të angazhohet maksimalisht për të zbatuar në përpikëri hapat e masat që kërkohen prej saj dhe se do të marrë përsipër obligimet që parasheh Konventa.

Siç bën të ditur Zyra e Kryeminstrit, këto deklarata Kurti i ka bërë në tryezën e organizuar në shënim të 10-vjetorit të Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, përcjell Insajderi.

“Gama e shtypjes që bie mbi gratë peshon shumë, e merr ngjyrime të ndryshme në varësi edhe të identiteteve të tjera, përveç atyre gjinore. Dhe, një lloj dhune, cilido lloj dhune, që nuk problematizohet në fillim, rritet e zgjerohet me kohën, duke e vështirësuar zgjidhjen dhe drejtësinë. Por, detyra jonë si shoqëri e veçanërisht për ne si Qeveri është që të ndërhyjmë aty ku ka më së shumti nevojë”, ka thënë kryeministri Kurti, njofton ZKM-ja.

Në tryezën e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë morën pjesë edhe: Presidentja Vjosa Osmani, Frank Power, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Joern Rohde, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edi Gusia, udhëheqëse e Agjencisë për Barazi Gjinore, në Zyrën e Kryeministrit.

E hapur për nënshkrim në maj 2011, Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) është traktati më i avancuar ndërkombëtar për të trajtuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Kjo konventë është përfshirë vitin e kaluar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës./Insajderi.com