Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të mërkurën mbrëma se në takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, kanë diskutuar për liberalizimin e vizave, megjithatë tha se nuk ka zotim nga Franca për këtë çështje, njofton Insajderi.
“Sigurisht që qytetarët e Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të kritereve ende nuk ka viza. Në vizitën tonë kjo çështje është trajtuar. Jemi të sigurt që e kanë marrë mesazhin tonë, por nuk ka zotim që do të ketë liberalizim të vizave”, tha Kurti në një lidhje direkte për radiotelevizionin publik.
Ai foli edhe për dialogun me Serbinë. Me këtë të fundit, tha se do të diskutohet për statusin e marrëdhënieve mes dy vendeve, e jo për statusin e Kosovës.
Shefi i ekzekutivit shtoi se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun konstruktiv.
“Diskutuan për situatën në rajon, për dialogun. Serbia kërkon të dijë se çfarë mund të japim ne me për njohjen e saj, por duhet të mos e evitojmë elefantin në dhomë, e që është njohja reciproke. I përket Beogradit se kur do ta bëjë këtë. Pavarësia e Kosovës, integriteti saj territirorial, sovraniteti shtetëror, funksionimi – nuk janë të diskutueshme. Me Serbinë jemi të gatshëm të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve tona, jo për statusin e Kosovës. Ai është zgjedhur para 13 vjetëve, kurse para 11 vjetëve ka përfunduar edhe me opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, u shpreh Kurti./Insajderi.com