Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se kanë diskutuar lidhur me procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, njofton Shqip.com.
Ndër temat e diskutuara në këtë takim, kreu i Qeverisë tha se ishte edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës për çka thotë se BE është vonuar në këtë çështje.
Ai në konferencë për media bashkë me presidenten e KE-së, njoftoi se fokusi kryesor i këtij diskutimi ishte për projektet që i kanë në përgatitje për planin e investimeve ekonomike.
“Gjatë takimit që patëm me presidenten e KE-së biseduam për një sërë çështjesh por fokusi kryesor ka qenë për projektet të cilat i kemi në përgatitje për planin e investimeve ekonomike”, është shprehur ai.
“Deri tani kemi identifikuar mbi 100 projekte që shtrihen në 13 sektor dhe mbërrijnë një buxhet prej mbi 2.7 miliardë euro”, tha Kurti.
“Po ashtu kemi biseduar edhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian ku siç dihet Kosova është e fundit në rajon dhe faktin se duhet të përgatitemi për aplikim për anëtarësim në mënyrë që të marrim edhe statusin e vendit kandidat si dhe për vendimin e vonuar të BE-së për liberalizimin e vizave aq më tepër që në korrik të këtij viti janë mbushur tri vjet prejse edhe vet Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën”, shtoi Kurti. /Insajderi.com