Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia po përdorë qytetarët e Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar, njofton Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka reaguar pas djegies së ndërtesës së Qendrës së Regjistrimeve të Automjeteve në Zubin Potok, duke thënë se nuk ishte aksidentale por e qëllimshme.
Sipas tij, edhe në Zveçan janë hedhur dy bomba dore në ndërtesën e qendrës së njëjtë, por që nuk kanë eksploduar.
“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen.
Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, shkroi ndër tjerash ai.
“Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”, shkroi ndër tjerash ai.
Mëngjesin e së shtunës është raportuar se një zjarr ka shpëthyer në ndërtesën e Komunës së Zubin Potokut.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ky shpërthim i zjarrit është një akt kriminal me elemente terroriste i shkaktuar nga persona të dyshimtë.
Ndryshe, që nga e hëna, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, t’i zëvendësojnë target me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, banorët e komunave veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugën që nga e hëna, duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.
Për të mbikëqyrur situatën, në këto pika kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët disa herë kanë qenë të provokuar nga protestuesit serbë të cilët lëshonin këngë nacionaliste serbe./Insajderi.com