Kurti për bashkimin kombëtar: Synimet tona mbesin të njëjta

Kurti për bashkimin kombëtar: Synimet tona mbesin të njëjta

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e 16 të themelimit të partisë së tij, ka deklaruar se bashkimi kombëtar mbetet pjesë e programit të tyre, njofton Insajderi.

Kurti gjatë konferencës për medie, që u mbajt në vendin ku edhe u themelua fillimisht LVV-ja, është shprehur se “bashkimi kombëtar që është më shumë se bashkim me Shqipërinë, shihet si intencë historike që nuk e përzgjedhim ne, por ajo neve”.

“Aq e thellë është sa që nuk mund të thuhet se përzgjedhet si një produkt”, është shprehur Kurti.

“Alternativa jonë qeverisëse është po ajo dhe synimet tona vazhdojnë të mbesin të njëjta. Ne përdorim gjithnjë e me shumë mënyra për ta realizuar qëllimin – të bëjmë hapa drejt afrimit dhe integrimit me Shqipërinë dhe t’i ndihmojmë shqiptarët që të faktorizohen në Ballkan”.

Ditë më parë, LVV-ja është kritikuar nga partitë opozitare se “e kanë harruar idenë e bashkimin kombëtar në ditën kur kanë marrë pushtetin”./Insajderi.com