Kurti për formimin e Institutit për krimet e luftës: Ka buxhet të mjaftueshëm – të adresohen të gjitha krimet e ndodhura

Kurti për formimin e Institutit për krimet e luftës: Ka buxhet të mjaftueshëm – të adresohen të gjitha krimet e ndodhura

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë do të jetë shumë i vështirë, njofton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në takimin e parë të Grupit Punues për themelimin e Institutit për krime të kryera gjatë luftës, që u zhvillua këtë të hënë.

“E konsideroj si shumë të rëndësishme që te theksohet përsëri çështja e emërtimit të Institutit. Emri i institutit të cilit i referohemi në është ‘Instituti për Krime Lufte’ por ‘Instituti për krime të kryera gjatë luftës’. Kjo për shkak se konsiderojmë që është e rëndësishme që të adresohen edhe krime e tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit e që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi – përveç se krimet e luftës”, tha Kurti.

Derisa përmendi rëndësinë e adresimit të krimeve, ai tha se nuk do të lejojnë që harresa ta merr kujtesën e krimeve të kryera gjatë luftës së viteve 1998-99.

“Adresimi i krimeve është larg përtej asaj që duam dhe na duhet. Do të jetë shumë e vështirë por kjo është situata në të cilën ndodhemi, por, të cilën kemi mundësi ta ndryshojmë dhe nuk do të lodhemi për të punuar në të. Po humbet kujtesa primare e luftës dhe ky është rreziku i madh që po na kanoset dhe kjo nuk duhet të ndodhë pasi duhet të punojmë dhe që mos të lejojmë që kujtesa të na lë”, ka thënë ai.

“Edhe sot nuk kemi një shifër se cili është dëmi ekonomik që na ka shkaktuar lufta në Kosovë – kemi shifra të ndryshme por që nuk e kemi të dokumentuar dëmtimin e saktë”, shtoi Kurti.

Mes tjerash Kurti thotë se ky institut do të ketë linjën e vet buxhetore dhe se duhet të ketë bashkëpunime edhe me institute tjera në rajon e botë.

“Prej konstatimeve të analizës është që instituti duhet të themelohet me ligj dhe të ketë strategji të punës, duhet të ketë vlerën e vet buxhetore dhe duhet të bashkëpunoj me institucionet tjera në rajon edhe me ato ndërkombëtare”.

“Instituti duhet ta ketë linjën e vet buxhetore, dhe përkrahjen e të gjithëve nëse duam të kemi sukses, por edhe nuk duam ta hedhim poshtë punën e deritanishme dhe me punën e tyre të vazhdojmë tutje. Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe andaj është thelbësore ta përkrahim njëri-tjetrin”, theksoi tutje Kurti. /Insajderi.com