Kurti për Gjykatën Komerciale: Ky Ligj do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi

Kurti për Gjykatën Komerciale: Ky Ligj do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur miratimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale, dukë thënë se “do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitiv në vendin tonë”.

Përmes këtij Projektligji ka thënë se do të lehtësohet tërheqja e investimeve të jashtme, duke bërë shtetin e Kosovës kredibil, serioz dhe të përkushtuar për drejtësi dhe të drejtën, drejt zhvillimit ekonomik.

“Ligji për Gjykatën Komerciale i shërben shtetit të së drejtës si parakusht të zhvillimit ekonomik”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në Facebook.

Mes tjerash, ka pohuar se themelimi i Gjykatës Komerciale do të përmirësoj gjendjen përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët.

Numri i këtyre të fundit, Kurti ka premtuar se do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm pesë sa kanë qenë deri tash.

“Mbi 3.000 raste qysh në fillim do të jenë subjekt shqyrtimi i kësaj Gjykate, që do të ketë juridiksion edhe për rastet përmbarimore, duke zgjidhur afërsisht 500 raste të kësaj natyre në vit”.

Me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e së premtes, kanë votuar në lexim të dytë Projektligjin për Gjykatën Komerciale.

Gjatë votimit, në sallë kanë qenë gjithsej 80 deputetë.

Në votim nuk mori pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç deputetit të saj, Agim Veliu, i cili votoi për./Insajderi.com