“Richard Cowboy”

Kurti për Grenell: Ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy

"(Cowboy) Nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës”.

Kurti për Grenell: Ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy

“Cowboy”, e ka konsideruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, emisarin amerikan, Richard Grenell, dhe qasjen e tij në raport me problemet e Kosovës e Serbisë.

Në një status të tij ne Facebook, Kurti shkruan se “në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën”.

“Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës”.

Kryetar i Vetëvendosjes ka komentuar edhe takimin e dy shtatorit, që e njoftoj sot në Twiter Grenell.

Kurti e lidhë këtë takim me kontekstin politik amerikan dhe afrimin e datës së zgjedhjeve atje.

“Fushata atje po intensifikohet ende pa filluar zyrtarisht”, pohon Kurti, prandaj, “në këtë kontekst duhet të shihet edhe dy shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Uashington D.C”.

“Ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme”.

Albin Kurti e ka parë problematike edhe gjuhën e përdorur nga Grenell në njoftimin e tij për takimin në Shtëpinë e Bardhë.

“Në njoftimin e tij, Grenell tanimë nuk flet për dialog por për negociata. E, negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë”.

“Ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata të thirrura për 2 shtator nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë. Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen”./Insajderi.com