Kurti për kryeministër: Po pres aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

Kurti për kryeministër: Po pres aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar për medie pas takimit të zhvilluar me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmanin, që e ftoi atë për të diskutuar lidhur me datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, njofton Insajderi.

Kurti tha se nuk kanë diskutuar për një datë konkrete, por që ka kërkuar nga Osmani një datë sa më të hershme.

I pyetur nëse do të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nacionale, Kurti tha se po e pret aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, e më pas edhe të dalin me vendime konkrete si parti.

“Nuk kemi folur për një datë konkrete, por kemi diskutuar që për një datë sa më të afërt të afatit kohor të mbahen zgjedhjet. Sa i përket hollësive që i ka përmendur Gjykata Kushtetuese, duhet të presim për aktgjykimin e plotë, e më pas do të dalim edhe ne me një deklaratë konkrete. Më në fund morëm një përgjigje nga Kushtetuesja pas gjashtë muajsh, prandaj nuk kemi kohë që të humbim dhe shprehëm interesimin për një datë sa më të hershme”, ka thënë Kurti.

Kurti u pyet edhe nëse do të jetë Osmani pjesë e listës së VV-së në këto zgjedhje, por refuzoi të përgjigjej duke thënë se këtu ishte në Presidencë, andaj nuk kanë diskutuar për çështje politike.

“Unë sot kam pasur takim me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës dhe nuk kemi diskutuar për çështje politike elektorale”, ka thënë Kurti. /Insajderi.com