Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për vendimet të cilat janë miratuar nga Qeveria në mbledhjen e së martës.
Sa i përket masave të reja kundër Coronavirusit, Kurti tha se “i përgjigjen situatës së tanishme pandemike në vend, por edhe nevojës për të qenë të kujdesshëm ndaj virusit i cili me disa variante të tij vazhdon të jetë prezent në mesin tonë”.
Po ashtu, 2022-ta është shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.
“Së bashku do të punojmë për një shoqëri me gjithëpërfshirje e mundësi për të gjithë”, ka shkruar shefi i qeverisë në Facebook.
Ka shtuar se ndër 14 vendimet e mbledhjes së fundit, nga 408 sa janë miratuar gjithsej që nga fillimi i qeverisjes së tij, katër ishin për miratimin e projektligjeve nga fushëveprimi i Ministrisë së Mbrojtjes, tek ai i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e deri te i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
“Shtuam ligjshmëri duke shfuqizuar edhe dy vendime të qeverive të mëparshme. Njëri i qershorit të vitit 2018 për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror”.
“Tjetri i qershorit të vitit 2019 për rekomandimin e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes në lidhje me ristrukturimin e disa pozitave në këtë ministri”.
“Vazhdojmë punën si dhe përgatitjet për vendime tjera të mira…”, ka përfunduar Kurti.
Ndryshe, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës, të martën pasdite ka miratuar masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi më 6 dhjetor.
Në bazë të vendimit të Qeverisë, mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes nga ora 00:00 deri në orën 05:00 dhe kufizimi i orarit të punës së gastronomisë nga ora 05:00 deri në orën 23:00.
Mysafirët në restorante dhe lokale duhet të posedojnë dëshminë për vaksinën anti-COVID.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative dhe ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
Pavarësisht numrit të personave, do të vazhdojë ndalimi i veprimtarisë së klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës./Insajderi.com