Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën “Le Monde” në Paris, i cili ka thënë se është vetëm një çështje diskutimi mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit dhe ajo është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë, trasmeton Insajderi.
Kurti për këtë gazete ka thënë nuk do ta diskutoj statusin e Kosovës, dhe se kjo është çështje e zgjidhur.
“Nuk do ta diskutoj statusin e Kosovës, është çështje e zgjidhur. E vetmja çështje sot është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiqi duhet ta kuptojë këtë. Vuçiqi ende e konsideron Kosovën territor të cilin Serbia një ditë duhet ta rikthejë, pa marrë në konsideratë popullin dhe qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike”, ka deklaruar Kryeministri.
Për gazetën franceze, e cila e quan Kurtin si ish-aktivist të UÇK-së, kryeministri i Kosovës ka thënë se liderët e Serbisë duhet të ndahen nga trashëgimia e Millosheviqit.
“Kurti është ish-aktivist i krahut politik të guerilës kosovare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK). U mbajt në Serbi për dy vjet në kohën e luftës në Kosovë. Ai më pas e krijoi lëvizjen Vetëvendosje, me një program revolucionar dhe u bë një kundërshtar i vendosur i qeverive të njëpasnjëshme të komandantëve të UÇK-së. Albin Kurti paraqitet sot si një socialdemokrat dhe u zgjodh si kryeministër me një program për ta luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ka shkruar Le Monde./Insajderi.com