Kurti për Mikullovcin: Ishte politikan i dy republikave

Kurti për Mikullovcin: Ishte politikan i dy republikave

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe për artistin dhe ish-deputetin, Adem Mikullovci.

Kurti e ka quajtur Mikullovcin “politikan të dy republikave”.

Ai e ka quajtur ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës “Çaplini ynë”.

“Mbrëmë vonë pas mesnate e morëm lajmin e trishtuar që baca Adem, artisti e aktori, veprimtari e politikani deputeti i të dy republikave edhe i asaj të dy korrikut edhe i asaj të 17 shkurtit, u nda fizikisht nga jeta. Aq shumë ka kontribuar për artin dhe për vendin tonë sa që puna e tij ngelet me neve për neve por edhe për brezat që do të vijnë. Filmat, dramat, komeditë e tij, puna e tij si regjisor, skenarist dhe si aktor e bëjnë bacin Adem të denjët për ta quajtur Çaplini ynë”, tha ai.

Kurti ka thënë se nuk ka një aktor apo artist tjetër që ka qenë pranë dhe me popullin, me njerëz të zakonshëm sikurse Adem Mikullovci.

“Prandaj edhe sot këtu në shkallet e Teatrit Kombëtar të kësaj shtëpie të parë të tij ne bëmë nderime për jetën dhe veprën e tij, sepse jetën e kishte vepër dhe veprën e kishte jetësore. Nuk ka një aktor apo artist tjetër që ka qenë pranë dhe me popullin, me njerëz të zakonshëm sikurse Adem Mikullovci. Ai e ka njohur mirë atë që e ka bërë, pra e ka njohur realitetin për të cilin e ka bërë artin. Prandaj ky artist i angazhuar, ky politikan aktiv do të na mungojë të gjithëve shumë gjatë”, ka thënë Kurti. /Insajderi.com