Kurti për “Non-papers”: Vijnë nga Serbia e Rusia

Kurti për “Non-papers”: Vijnë nga Serbia e Rusia

Dokumentet jozyrtare të quajtura “Non-papers” të cilët po qarkullojnë kohët e fundit nëpër mediat ballkanike, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vijnë nga Serbia ose edhe nga Rusia, njofton Insajderi.

Në një intervistë televizive nga Brukseli, Kurti thotë se nuk beson që këto dokumente vijnë nga kryeqytetet evropiane apo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa thekson se kanë për synim të përdorin Ballkanin Perëndimor për ta sulmuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Nuk besoj se autor të këtyre ‘Non-paperave’ janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht se jo SHBA-ja por as kryeqytetet evropiane. Besoj se kjo vjen nga Beogradi e mbase edhe nga verilindja. Është interes i federatës ruse që ta përdor Ballkanin Perëndimor që ta sulmojë BE-në dhe NATO-n. Unë përpiqem ditë e natë që të bind faktorin ndërkombëtar se çka është e drejtë dhe e dobishme”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se synimi i Beogradit është që ta hapë pakon e Ahtisarit dhe të gjitha çështjet brenda saj, por që thekson se një gjë të tillë nuk duhet lejuar ndërkombëtarët.

“Nën sulm ndodhet plani i Ahtisarit, synimi i Beogradit është që ta hap pakon e Ahtisarit dhe të gjitha çështjet që ishin aty brenda. Formula e suksesit e cila është edhe obligim moral e politik është që ne të mbrojmë pavarësinë e faktorët ndërkombëtar ta mbrojnë planin e Ahtisarit karshi Serbisë. Synimi i Serbisë është bosnjëzimi i Kosovës, që ta bëjë Kosovën shtet të dështuar. Synimi është që të sulmohet sovraniteti dhe integriteti territorial duke e hapur pakon e Ahtisarit. Plani i Ahtisarit është fëmijë i ndërkombëtarëve, atë duhet ta mbrojnë ndërkombëtarët ndërkaq unë po e mbroj Kosovën tonë të dashur, të pavarur”, ka deklaruar kryeministri Kurti. /Insajderi.com