Kurti për Ramën: Jemi të ndryshëm, por duam të bashkëpunojmë

Kurti për Ramën: Jemi të ndryshëm, por duam të bashkëpunojmë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të shtunën se me Kryeministrin Edi Rama janë njerëz dhe politikanë të ndryshëm, por se duan të bashkëpunojnë.

“Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara. Ne jemi njerëz të ndryshëm, jemi politikanë të ndryshëm dhe duam që të bashkëpunojmë në mënyrë që dallimet dhe mospajtimet që kemi kurrsesi nuk bën që ta rrezikojnë bashkëpunimin tonë. Ne nuk jemi dy persona të veçantë, por dy funksione që qytetarët presin të bashkëpunojnë.”

Teksa pret të marrë mandatin për krijimin e qeverisë së Kosovës pas fitores në zgjedhjet e 6 Tetorit, Kurti u takua mbrëmjen e së premtes për më shumë se 5 orë me Kryeministrin Edi Rama.

“Me Ramën kemi diskutuar për çështjet dhe temat që do të diskutojmë. Organogramet e qeverive vijnë më vonë. Pra një herë është substanca, e më pastaj edhe forma që duhet të marrë ky bashkëpunim…Efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj se mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se realiteti që e gëzojnë të gjithë. Prandaj, ne duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria, e Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, më të papunët dhe më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, tha Kurti nga Pallati i Kongreseve në Tiranë, ku po merr pjesë në Samitin e Paqes së Europës Juglindore.

I pyetur nëse Kosova do t’i bashkohet të ashtuquajturit ‘Schengen Ballkanik’, Kurti tha: “Unë pres që ta shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai, sepse ajo më ngjan më shumë me ide sesa me projekt. Pra duhet ta shohim projektin në letër, tash për tash është më shumë një .” /tvklan.al