Kurti për rritjen e çmimeve: Do të kemi pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve

Kurti për rritjen e çmimeve: Do të kemi pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për rritjen e çmimeve në vend, ka paralajmëruar pako masash për t’i ndihmuar qytetarët.

Derisa ua ka bërë këtë premtim qytetarëve, u ka kërkuar të jenë të qetë dhe të durueshëm.

Sipas tij, jo vetëm Kosova, por e gjithë bota i është ekspozuar një inflacioni.

“Kryesisht vije si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ka thënë se shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9%, “gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte”.

Mirëpo, siç ka thënë shefi i qeverisë, ditëve të fundit po bëhet fushatë për rritje çmimesh duke fajësuar qeverinë për këtë gjendje.

“Kjo, në njërën anë, synon t’ua shtrojë terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngritët, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, ndërsa, në anën tjetër, tenton të nxisë nervozë e panik te qytetarët”.

Më tej, është shprehur se “paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, ndikojnë në blerje të shtyra nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve”.

“Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi, dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pta bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët”.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë me dije se ngritja e çmimeve është vërejtur tek produktet e mishit, qumështit dhe perimeve.

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thuhet në njoftimin e ASK-së./Insajderi.com