Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia ekziston nevoja urgjente për të rritur ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë.
“Do të na ndihmonte edhe nëse do të kishte më shumë ushtarë gjermanë. Përveç kësaj, trupat e KFOR-it mund të na ndihmojnë për të zgjeruar më tej strukturat dhe kapacitetet tona të sigurisë”, u shpreh Kurti për Welt.
“Rusia dhe Serbia punojnë ngushtë së bashku në politikën ushtarake, ata ndërmorën gjithsej 104 manovra dhe aktivitete së bashku në vitin 2021 – disa prej të cilave përfshinin forcat e armatosura bjelloruse”.
Ai tutje foli për situatën e tensionuar në veri, për masën e reciprocitetit me Serbinë dhe shtyrjen 30 ditore të aplikimit të saj, ku tha se trazirat e 31 korrikut nuk u shkaktuar nga qytetarë të thjeshtë serb në veri të vendit por nga krimi i organizuar dhe oligarkët.
“Të cilët janë në listën e pagave të Serbisë dhe të cilët në takimet në Beograd u informuan se çfarë duhet të bëjnë në Kosovë. Kjo ishte punë e porositur. Pasi u hoqën barrikadat, unë – në konsultim me SHBA-në dhe BE-në – e shtyva me 30 ditë vendosjen e masave”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se zbatimi i reciprocitetit për targa dhe dokumente do të jetë i detyrueshëm për një kohë të pacaktuar, teksa tha se është i gatshëm të bëjë marrëveshje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që të hiqen kontrollet kufitare nga të dyja shtetet./Insajderi.com