Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për strehimin e refugjatëve afganë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur shumë Kosovën dhe kjo është vetëm një pjesë e kontributit që Kosova mund të japë.
Por, Kurti strehimin e refugjatëve e lidhi në pikë të parë si humanizëm.
“Ne e kemi SHBA-në aleatin kryesor dhe partnerin strategjik të pazëvendësueshme dhe çështja e strehimit të refugjatëve përveç aspektit humanist nga ana jonë, e ka edhe dimensionin nga partneriteti me SHBA”, ka thënë Kurti.
Kreu i Ekzekutivit e pranoi se ka kohë që Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-të për këtë çështje.
“Këtë punë tash e një muaj e kemi bërë pa zhurmë dhe me kujdes të veçantë pasi kjo është një çështje e dhimbshme njerëzore por edhe e sigurisë së veçantë”, theksoi Kurti.
Ai gjithashtu shprehi keqardhje për atë që po ndodhë në Afganistan.
“Qytetarët kudo në botë, jo vetëm që meritojnë, por edhe ju takon demokracia. Shpresojmë më të mirën për qytetarët e Afganistanit”.
SHBA-të, kërkuan nga Kosova që të strehohin disa nga bashkëpunëtorët e tyre afganë gjatë kohës së operonin në Afganistan.
Kjo për shkak të kanosjes së rrezikut nga talebanët që kanë marrë pushtetin në Kabul.
Grupi militant u kthye në pushtet pas 20 viteve, menjëherë pasi trupat ndërkombëtare u larguan nga Afganistani.
Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi të hënën se qëndron “plotësisht prapa” vendimit për tërheqjen forcave amerikane nga Afganistani.
Ndërkaq, Ashraf Ghani, presidenti afgan që kishte mbështetjen amerikane është larguar nga vendi. /Insajderi.com