Kurti për suksesin e filmit “Zgjoi”: Moment historik

Kurti për suksesin e filmit “Zgjoi”: Moment historik

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas fitores historike të filmit “Zgjoi” në festivalin e njohur amerikan “Sundance”, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kurti tha se ky është një moment historik për filmin e Kosovës dhe përgëzoi ekipin për këtë sukses.

“Edhe një moment historik për filmin e Kosovës! Me shumë gëzim e krenari e kemi pranuar lajmin për suksesin e filmit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Filmi “Zgjoi” ka fituar shpërblimin kryesor në Sundance Film Festival në ShBA, si filmi më i mirë i vitit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mbrëmë natën vonë”, ka shkruar Kurti.

“’Zgjoi’, i cili është bashkëproduksion i Kosovës me Zvicrën, është shpërblyer edhe për regjinë më të mirë nga Blerta Basholli, si dhe ka marrë edhe çmimin e publikut, duke i sjellur kështu gjithsej tre shpërblime për Kosovën. Sundance Film Festival është një nga festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, dhe ky vlerësim i lartë në arenën ndërkombëtare është gjithsesi historik për filmin tonë. Përgëzojmë gjithë ekipin për këtë sukses!”, është shprehur tutje ai në Instagram. /Insajderi.com