“Ne ende kemi probleme me Serbinë, Kosova nuk është problem. Problemi është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi që mendon dhe flet si në vitet 90-ta të shekullit të kaluar”.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin kroat “HRT”, ku ka folur për zhvillimet në veri të vendit, transmeton Insajderi.com.
Sipas tij, rrugët në afërsi të pikave kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak, janë bllokuar jo për shkak të serbëve, por për shkak të Vuçiqit.
Shefi i qeverisë ka bërë të ditur se mbi 11 mijë vetura nga Serbia janë pajisur me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës “pa asnjë problem”.
“Ata bashkëpunuan me policinë tonë dhe institucionet tona”, ka thënë Kurt, derisa ka shtuar se “njerëzit në barrikada paguhen nga Serbia”.
“Disa prej tyre kanë dosje të aktiviteteve kriminale në të kaluarën, ata kanë pikëpamje ekstreme për politikën dhe botën. Disa prej tyre gjithashtu morën pjesë në një përpjekje për grusht shteti në Malin e Zi pesë vjet më pare”.
I pyetur nëse mendon se Aleksandar Vuçiq dëshiron të provokojë një konflikt ndërkombëtar, Kurti është përgjigjur se “nuk mund të mendoj ndryshe”./Insajderi.com