Kurti për vendimin e GJND-së: Vulosi ligjshmërinë e pavarësisë

Kurti për vendimin e GJND-së: Vulosi ligjshmërinë e pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vulosi ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës.

Kjo deklaratë e Kurtit erdhi në 11 vjetorin e vendimit të GJND-së.

Kurti tregoi se më pas Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë për dialogun Kosovë-Serbi. Për këtë kreu i ekzekutivit, deklaroi se bisedimet janë ndërmjet dy vendeve.

“Sot mbushen 11 vjet që kur GJND-ja vulosi ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës. Më pak se 2 muaj më vonë, Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë që bën thirrje për një dialog për paqe dhe progres në mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu në Bruksel ka të bëjë me statusin e marrëdhënieve midis dy vendeve”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 korrik 2010 kishte shpallur të ligjshme pavarësinë e Kosovës.

Serbia me ndihmën e Rusisë kishte arritur që çështjen e Kosovës ta çonte në GJND-së, duke e cilësuar pavarësinë e Kosovës si “të njëanshme”.

Por, ashtu s’kishte menduar drejtësia ndërkombëtare, për ta mbështetur aktin e 17 shkurtit 2008. /Insajderi.com