Kurti për vendimin e KGJK-së: Nuk jam njoftuar ende nga KQZ-ja

Kurti për vendimin e KGJK-së: Nuk jam njoftuar ende nga KQZ-ja

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, sipas të cilit 47 kandidatë për deputetë që janë përfshirë në listat zgjedhore, përfshirë edhe Kurtin, kanë probleme me ligjin.

Bartësi i listës së VV-së ka deklaruar se ende nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve.

Unë nuk jam në dijeni për kurrëfar vendimi të tillë të KQZ-së, nuk kemi marrë ndonjë shkresë, unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia. Por, ajo cka po verej në Kosovë është një entuzjazëm i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit”, u shpreh Kurti, për RTV Dukagjini

Tutje, i pari i VV-së ka thënë se institucionet e vendit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit dhe jo t’i vihen përballë atij.

“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, tha ai.

Sipas një vendimi të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 47 kandidatë për deputetët nga 15 subjekte politike, kanë problem me ligjin për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit./Insajderi.com