Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Drecun tha se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po dëshiron që të ndalojë praktikën e votimit të serbëve në Kosovë, transmeton Insajderi.com.
Sipas tij, Kurti po dëshiron që të pengojë çfarëdo prezence të Serbisë në Kosovë, raporton Tanjug.
“Kurti dëshiron që t’i japë fund praktikës së votimit të serbëve në Kosovë në zgjedhjet e thirrura nga vendi ynë”, tha ai.
Ndryshe, të dielën në Serbi është mbajtur një referendum për disa ndryshime në sistemin gjyqësor të vendit.
Fillimisht, referendumi ishte paralajmëruar që të mbahej edhe në Kosovë, në mënyrë që serbët me dy nënshtetësi të mund të votonin.
Por, edhe pse kërkesa e shteteve të QUINT-it ishte pro mbajtjes së referendumit në Kosovë, Kuvendi miratoi një rezolutë me 76 vota pro e një abstenim, e cila ndalonte mbajtjen e një referendumi të tillë.
Kështu, serbët nga Kosova u detyruan që të udhëtojnë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë në mënyrë që të kenë mundësinë e votës në këtë referendum.
Ndërkaq, gjatë kësaj dite, Njësitet Speciale të Kosovës ishin pozicionuar në disa komuna me shumicë serbe në rast të eskalimit të situatës, por që nuk është shënuar ndonjë incident./Insajderi.com