Kurti: Po punojmë në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Speciales

Kurti: Po punojmë në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Speciales

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë duke punuar në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale, njofton Insajderi.

Ai përmes një postimi në Facebook, derisa ka kërkuar aktivizim rreth  çështjes së gjykimit në mungesë të kriminelëve të luftës, ka potencuar se Qeveria e udhëhequr nga ai ka bërë ndryshimet e nevojshme për ta lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë.

“Sot u mbushën dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. 22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë.

Duke pasur prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Qeveria jonë ka bërë sërish ndryshimet e nevojshme për të lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës”, ka shkruar shefi i ekzekutivit në Facebook.

Kurti tutje është shprehur se me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, “do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tone”.

“Kosovës i nevojiten prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur. S’kemi kohë për të humbur”./Insajderi.com