Kurti: Po të mos ishte Njësia Speciale, do të digjeshin pikat kufitare

Kurti: Po të mos ishte Njësia Speciale, do të digjeshin pikat kufitare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se prezenca e Policisë së Kosovës në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje i ka parandaluar djegien e pikave kufitare me Serbinë, njofton Shqip.com.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Kurti tha se aty ku nuk ka prezencë të Policisë së Kosovës, ka incidente, duke e përmendur kështu djegien e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok.

“Paramendoni se çfarë do të ngjante në pikat 1 dhe 31 sikur të mos ishte aty policia speciale. Sulmet e sotme janë dëshmi se kjo është synuar edhe në pikat në Jarinje dhe Bërnjak. Sot u vërtetua se ne kemi pika kufitare sepse kemi njësi speciale të policisë.

Asnjë incident në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë të vendimit të zbatimit të qeverisë së Kosovës.Aty ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente aty ku nuk ka polici ka incidente siç ndodhi në Zubin Potok”, tha ai.

Njësia Speciale e Kosovës

Po ashtu, Kurti tha se me avionët luftarak, Serbia po tenton të nxisë një konflikt i cili mund të marrë përmasa rajonale.

“Serbia po sjell afër kufirit helikopterë dhe avionë luftarak rusë, Serbia po provon të nxis konflikt rajonal. Pengesat dhe bllokadat përfshirë veprimet e sotme kriminale janë të tilla sepse krimi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta. Vendimi për targat nuk u drejtohet qytetarëve serbë të Kosovës, ky vendim është masë e barabartë që shteti serb aplikon për qytetarët e Kosovës.

I ftojmë qytetarët në veri pa dallime etnike të respektojnë ligjet dhe të mos ndikohen nga ata që nxisin dhunë.Mbi 9 mijë targa të përkohshme janë dhënë deri më tani, duket që këtu e kanë hallin zjarrvënësit nga Beogradi. ”, tha Kurti./Insajderi.com