Kurti premton çlirimin e bizneseve të vogla “nga tatimet e tepërta”

Kurti premton çlirimin e bizneseve të vogla “nga tatimet e tepërta”

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë sot se nëse partia e tij fiton zgjedhjet parlamentare dhe futet në pushtet, do t’i çlirojë bizneset e vogla prej tatimeve.

“Ne do ta çlirojmë biznesin e vogël prej tatimeve të tepërta që po e ngulfasin, dhe në anën tjetër do të kujdesemi për zbatimin rigoroz të të drejtave të punëtorëve”, ka thënë Kurti.

Ish-kryetari i partisë Vetëvendosje ka deklaruar se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë burim kryesor i punësimit në Kosovë.

“Ndëmarrjet e vogla e të mesme janë burim kryesor i punësimit në Kosovë. Por bizneset e vogla praktikisht po detyrohen të mbyllen, nga konkurrenca e papërballueshme prej qendrave të mëdha tregtare, por edhe për shkak se shteti në vend se të dërgojë inspektorët e punës që aty të zbatohet ligji, ushtron trysni te pronarët që të japin kontribute nëpër parti”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 11 qershor. /Insajderi.com