Kurti premton Ligjin për Paga: Do t’u japim fund problemeve thelbësore

Kurti premton Ligjin për Paga: Do t’u japim fund problemeve thelbësore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se Qeveria e udhëhequr nga ai do të hartojë Ligjin për Paga me të cilin ka thënë se do të përfundojë problemet thelbësore të pagave.

Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës të martën, ku po zhvillohet debat parlamentar lidhur me çështjen e pagave në sektorin publik, ka thënë se hartimi i këtij ligji nuk është i lehtë, por se “Qeveria është e përkushtuar që t’i japë fund vendimeve ad hoc”.

“Jemi të vetëdijshëm që ajo që nuk u bë për 22 vite nuk duhet të bëhet me nguti. Ligjin për pagat do ta bëjmë, do ta bëjmë ligj që zgjidh problemet thelbësore të pagave”.

“Qeveria është e përkushtuar që t’i japë fund vendimeve ad hoc të ministrave dhe të drejtorëve të agjencive sipas preferencave dhe lidhjeve familjare”, është shprehur shefi i qeverisë para deputetëve.

Në foltoren e Kuvendit, Kurti ka theksuar se në Kosovë ka dallime shumë të mëdha në paga.

Ajo që është më problematike, sipas tij, sistemi ekzistues I pagave nuk ofron përgjigje për diferencat që duhej të ekzistonin për të adresar dallimet në nivel të shkollimit, rrezikshmërisë, përvojë pune e nivel të përgjegjshmërisë./Insajderi.com