Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog dhe zëvendësi i tij, Riccardo Serri, kanë takuar sot liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh edhe fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit, si dhe kandidaten për deputete nga kjo parti, Fitore Pacolli, transmeton Insajderi.
Siç bëhet e ditur nga Lëvizja Vetëvendosje, Szynyog ka uruar Kurtin për fitoren në zgjedhje dhe ai ka shprehur dëshirën që institucionet e reja në Kosovë të formohen sa më shpejtë dhe të fillojnë bashkëpunimi me qeverinë e re.
Kurti duke e falënderuar për urimin i tregoi Shefit të Zyrës së BE-së prioritet e qeverisë së re.
“Krahas punësimit dhe drejtësisë në qendër është luftimi i krimit dhe korrupsionit, bashkë me ligjin për konfiskimin e pasurisë. Këto të fundit janë të rëndësishme për të aplikuar për fondet nga IPA III”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Kurti njëherësh ka kërkuar ndihmë për të përshpejtuar procesin e furnizimit me vaksinë kundër COVID-19 nga BE, për të cilat shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë tha se janë në plan t’i marrin. /Insajderi.com