Kurti: Prioritet i dialogut – zbardhja e fatit të të zhdukurve

Kurti: Prioritet i dialogut – zbardhja e fatit të të zhdukurve

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim sot me shefin e Programit për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), Matthew Holliday, nga i cili mori urime për pranimin e detyrës së re, njofton Insajderi.

Kurti me Hollidayn diskutuan për të pagjeturit dhe se zbardhja e fatit të të pagjeturve do të jetë prioritet i dialogut me Serbinë.

Kështu është bërë e ditur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila me anë të një njoftimi në profilin e saj në Facebook, ku tutje bëhet e ditur se Kurti dhe Holliday janë dakorduar që ta rrisin bashkëpunimin midis tyre për çështjen e personave të zhdukur.

Njoftimi i plotë:

Shefin e programit për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur (ICMP) z. Matthew Holliday, të shoqëruar nga zyrtari i programit për Kosovë dhe rajon nga kjo organizatë ndërqeveritare, z. Ylber Morina, e priti sot në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi, kryeministri, Albin Kurti, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, znj. Saranda Bogujevci, dhe ish këshilltaren e tij, Fortuna Sheremeti.

  1. Holliday e uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhje dhe i dëshiroi suksese në punët e mëdha që e presin qeverinë e re. Ai tha se çmon lartë angazhimin e pakusht që z. Kurti ka treguar ndër vite në lidhje me çështjen e personave të zhdukur, dhe që pret thellim të bashkëpunimit me të si kryeministër për këtë çështje. Ata kujtuan marrëveshjen mes ICMP-së dhe shtetit të Kosovës në vitin 2019, që kjo organizatë të asistojë në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, dhe u pajtuan që megjithatë përgjegjësia për adresimin e kësaj çështje në masë të madhe bie mbi Kosovën.
  2. Kurti foli për rëndësinë e shtrimit të çështjes së personave të zhdukur. Ai tha se tashmë kemi humbur shumë kohë pa e adresuar atë si duhet, andaj jemi gati që ta hapim një kapitull të ri e të angazhohemi me më shumë përkushtim dhe efikasitet në drejtim të zbardhjes së fatit të tyre. Kjo është e domosdoshme pasi dhembja e familjarëve duhet shëruar, ashtu siç duhen shëruar edhe plagët që si shoqëri e si shtet ndjejmë në mungesë të tyre. Z. Kurti e nënvizoi sërish, që për qeverisjen e re zbardhja e fatit të personave të zhdukur do të jetë prioritet si brenda dialogut me Serbinë, ashtu edhe në bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtarë për zbardhjen e fatit të tyre.

Në fund të këtij takimi, z. Kurti dhe z. Holliday u dakorduan që ta shtojnë bashkëpunimin e tyre për çështjen e personave të zhdukur, pa bërë dallime dhe duke pasur në qendër shërimin e dhembjes që parasëgjithash e ndjejnë familjarët e personave të zhdukur. /Insajderi.com