Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkrahur idenë që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës, përfshirë ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ka theksuar se Kosova s’ka asgjë për të fshehur, pasi sipas tij, nga përfundimi i luftës, ka qenë nën administrimin e ndërkombëtarëve.
Ka shtuar se hapja e arkivave do të ndihmonte që të gjendeshin personat e zhdukur nga lufta e fundit.
Këto komente Kurti i ka bërë pasi ka marrë pjesë në edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Fondacionin Friedrich-Ebert.
Ndryshe, të enjten, kryenegociatori i delegacionit kosovar, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në takimin trepalësh me Serbinë dhe Bashkimin Evropian, janë dakorduar që t’i hapin arkivat shtetërore lidhur me UÇK-në.
Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta. Opozita ka kritikuar Qeverinë se “po e barazon UÇK-në me Serbinë”. Ndërsa, drejtues të Arkivit kanë mohuar se brenda institucionit shtetëror ka dokumente sekrete rreth UÇK-së./Insajderi