Kurti publikon dokumentin që ia refuzoi Vuçiqi në Bruksel

Kurti publikon dokumentin që ia refuzoi Vuçiqi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar dokumentin e quajtur “Deklarata e Paqes” prej gjashtë nenesh, e cila iu propozua si formë marrëveshjeje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, përgjatë takimit në Bruksel, shkruan Insajderi.

Kurti përmes një njoftimi në Facebook ka thënë së ky dokument është refuzuar nga Vuçiq.

Ai ka deklaruar se pala serbe problematike e shihnin togfjalëshin “ballafaqimi me të kaluarën”, andaj edhe e refuzuan atë.

“Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”, deklaroi ai.

Kurti ka theksuar se Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid dhe sipas tij, mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht.

“Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, ka pohuar ai./Insajderi.com