Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka informuar se qeveria ka bërë themelimin e Komitetit Ndërministror, i cili do të përzgjedhë dhe monitorojë procesin e zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, njofton insajderi.
Kurti theksoi se këtë mekanizëm do ta udhëheq ai personalisht, për ta trajtuar me seriozitet këtë proces.
“Anëtarë të këtij komiteti janë ministra të linjës, përfaqësuesi i familjes Jashari, kryetari i komunës së Skënderajt, drejtorë të instituteve, muzeve dhe agjencive përkatëse, përfaqësuesi i shoqatës së arkitektëve dhe përfaqësuesi i Organizatës së Veterenëve të Luftës dhe të Ushtris Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti pohoi se profesionistët nga Ministria e Kulturës kanë nisur ta vlerësojë gjendjen e kullave, dhe qeveria ka gatishmërinë e plotë për të ndërhyrë në sanimin e këtyre strukturave.
“Varësisht nga të gjeturat dhe rekomandimet e profesionistëve tanë, kemi gatishmërinë e plotë të ndërmarrim ndërhyrje emergjente sanuese në këto struktura të neglizhuara për kohë të gjatë”, ka thënë tutje Kurti.
Ai shtoi se gjëja e radhës do të jetë shqyrtimi i detyrimit themelor të këtij komiteti, projekti për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Në afatin më të afërt do të mbahet takimi i parë i komitetit për t’i diskutuar dhe votuar vendimet e rëndësishme në emër të mbrojtjes, zhvillimit dhe promovimit të kompleksit i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim”, ka përfunduar Kryeministri. /Insajderi.com