Kurti refuzon të flasë për aktakuzën ndaj Aliut

Kurti refuzon të flasë për aktakuzën ndaj Aliut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të deklarohet lidhur me aktakuzën ndaj Liburn Aliut, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përcjell Insajderi.

Kurti teksa ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Dëshmorët e kombit” në Gllogjan bashkë me kabinetin e tij qeveritar të mërkurën, është pyetur nga gazetarët për aktakuzën, por ai ka refuzuar të flasë.

“Te ky vend i dëshmorëve nuk mund të flasim për politika të ditës”, ka thënë ai para mediave.

Në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliu është zgjedhur ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ndaj tij, në vitin 2018 ishte ngritur një aktakuzë për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, në kohën sa i njëjti ishte drejtor i Urbanizimit në Prishtinë. Aliu gjatë së martës ka deklaruar se nuk ka pranuar asnjë informacion zyrtar për një aktakuzë të tillë. Por, pak minuta më vonë, këto pretendime të tij i ka hedhur poshtë Prokuroria Themelore në Prishtinë. /Insajderi.com