Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka uruar 180 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se këta ushtarë që po i shtohen sot FSK-së, do t’i shërbejnë institucionit më të besueshëm në vend, njofton Insajderi.com.
Kështu u shpreh ai derisa mori fjalën në ceremoninë e rekrutimit të tyre, ku tha se Qeveria e Kosovës e ka vënë prioritet forcën ku do të shërbejnë tash e tutje këta ushtarë për paqe jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe më gjerë.
Ai më tej shtoi se tash e tutje këta ushtarë kanë nderin t’i shërbejnë vendit krah aleatëve e ushtarëve të NATO-s në shërbim të paqes dhe sigurisë globale.
“Sot për ju për, familjet tuaja, Kosovës po i shtohen edhe 180 ushtarë të trajnuar, të përgatitur dhe të gatshëm për të shërbyer, duke u ballafaquar me ngarkesa fizike e psiqike dhe detyra akademike larg familjeve, nën diciplinë dhe vështirësi të tjera të cilat nuk i keni hasur më parë”, tha Kurti.
“Të gjitha këto sfida kanë pasur vetëm një qëllim – të ju përgatisin për të qenë ushtarë të FSK-së, përveç privilegjit tash e tutje do t’i shërbeni institucionit më të besueshëm në vend, ju keni nderin t’i shërbeni vendit tuaj, por krah aleatëve, krah ushtarëve të NATO-s në shërbim të paqes dhe sigurisë globale”,
“Qeveria e Republikës së Kosovës, forcën ku do të shërbeni e ka vendosur ndër prioritetet e saj,kjo tregon për shtrirjen e paqes jo vetëm në vend por edhe në rajon e më gjerë”.
Të premten e 22 tetorit, u betuan 180 rekrutë të rinj të FSK-së.
Kjo ceremoni është mbajtur në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Skënderbeu”, në Ferizaj.
Pjesëmarrës përveç Kurtit ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e zyrtarë të tjerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë. /Insajderi.com