Se Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit u pa qysh në orët e para të publikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por ajo që nuk është vërejtur më parë është se Albin Kurti e ktheu nga vetja edhe elektoratin e vendeve prej nga vijnë kundërkandidatët e tij.
Një përqindje të vogël të rezultatit të përgjithshëm prej 47.85% sa i kishte gjithsej, LVV e mori edhe në fshatin Ratkoc të Rahovecit, prej nga vjen kandidati për kryeministër, njëherësh edhe kryeministër në detyrë, Avdullah Hoti.
Me 125 vota më shumë se Hoti, Kurti arriti të dalë i pari edhe në qendrat e votimit të këtij fshati.
Ndonëse me më pak vota, partia e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës, fitore më bindëse arritën në fshatin Peqan të Suharekës, nga ku vjen kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Hoxhaj në pikat e vendvotimeve të këtij fshati mblodhi 149 vota, dyfishin e të cilave arriti ta marrë Kurti – përplot 296 sosh.
Edhe në nivel komunal, Vetëvendosje prinë në të dyja vendet, në Rahovec me 46.71 për qind të votave, ndërsa në Suharekë me 37.54 për qind.
Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kanë shënuar fitore të madhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat e nxjerrin atë si partinë e parë me 47.85% të votave të qytetarëve.
Ajo pasohet nga PDK me 18,68%, LDK renditet e treta më 14,13 dhe AAK e katërta më 9,97% të votave të numëruara.
Ndërkaq kanë mbetur pa u numëruar ende votat me kusht, ato të diasporës dhe votat e personave me aftësi kufizuara.
Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë refuzuar nëntë mijë e 49 vota të ardhura nga janë nga gjithsej 31 mijë e 375 vota të procedura dhe janë aprovuar 22 mijë e 326 vota.
Sipas KQZ-së deri më tani janë numëruar 19 mijë e 668 pako nga diaspora, derisa dy mijë e 659 të tjera janë refuzuar.
“Është duke vazhduar procesi i skanimit të rezultateve që kanë mbetur edhe dy komuna. Nga shërbimi votues nga 19 mijë pako të vlerësuara deri më tani janë aprovuar mbi 22 mijë zarfe të refuzuara janë pjesa tjetër dhe të procesuar janë mbi 31 zarfe nga 19 mijë pako”, ka thënë sot Burim Ahmetaj nga sekretariati i këtij komisioni. /Insajderi.com